top of page
Search
  • Writer's pictureilir bajri

#01

Updated: Jun 14, 2021


 

Në univers nuk ka asgjë statike - ai osht vazhdimisht në lëvizje dhe në drejtim të kompleksitetit sa ma të madh. Jeta në të osht gjithashtu e tillë e kjo e ban botkuptimin tonë të ‘normalitetit’ të kufizum dhe nonsensik. Besoj që nevoja për “normalitet” osht vetëm se manifestim i tendencës së vazhdueshme të shoqnisë njerzore për organizim ma të mire drejt balansimit të nevojave në raport me natyrën e fenomenet e saj.

Kështu jeta jonë ridefinohet vazhdimisht e pandërpre. Perceptimi i realitetit osht subjektiv dhe anipse ekziston koncenzus i përbashkët për shume nga fenomenet dhe të vërtetat e botës reale prapseprap interpretimi i tyne osht ngushtë i lidhun dhe varet nga karakteristikat subjektive. Besoj që stimulimi kryesor për zhytjen në fusha artistike buron nga dyshimi i vazhdueshëm dhe nevoja e parezistueshme për ide e vizione që shkojnë tutje normales - këto shpesh emërtohen utopike e andrrimtare, e nisoj emërtohen edhe ata që i reflektojnë ato, por historia osht e mbushun me njerëz të tillë të cilët, kur arrijnë të mblidhen e të organizohen mirë, e shtyjnë përparimin e zhvillimin me hapa ma të shpejtë e ma të mëdha! Nisoj edhe sot përgjatë kësaj krize, në mesin e shumë e shumë vajtimeve, negativiteteve, parashikimeve ogurzeze e frikës nga gjithçka, nji pjesë e mirë e shoqnisë njerzore mundohet me mësu, punu e reagu në raport me sfidën me të cilën po ballafaqohemi të gjithë.


________________________

FATI TROKET N'DERË

Miti mbi ‘trokitjen në derë’ zor se ka burim në ndodhi të vërtetë por ma para osht simplifikim banal e keqinterpretim i ideve e metaforave artistike të Beethovenit, e ndoshta buron edhe nga moskuptimi i nevojës për vetizolim që intelekti shpesh e kushtëzon kur ballafaqohet me ide te reja e fenomene të panjohura, kur nevoja për analiza e reflektime të thella e të gjata nënkupton fokus të plotë. Opusi krijues i Beethovenit osht ma para lajmëtar i kohës së re dhe ndryshimeve që sjell ajo sesa reaksion ndaj vetmisë krijuese e “prishjes së qetësise së tij”. Flet për vete fakti që edhe 250 vjet pas lindjes idetë e tij reprodukohen e dëgjohen nga të gjithë në planetin tone!

Vetmia si ndjenjë mungese osht krejtësisht e ndryshme nga vetmia që vjen si nevojë. Natyrisht që të dyja këto shpesh keqkuptohen e keqinterpretohen, nisoj si mund të keqkuptohet izolimi i cili detyrimisht duhet me qenë ma rigoroz kur synohet zbutja e ndalimi i përhapjes së sëmundjes e jo domosdo për shkak të kufizimit të qëllimshëm të lirisë dhe mohimit të të drejtave themelore.

Nuk osht për me u habitë qe ata të cilët nuk tregojnë interesim për mësim, për ngritje e zhvillim, ata që nuk janë kureshtar për me i mësu e kuptu fenomenet natyrore, që nuk e kuptojnë randesinë e zhvillimit të shkencës e artit - ndihen të vetmum e të zhytun në monotoni plot ankthe për shkak se për ata përmbushja e kënaqesia vjen vetëm në momente të interaksioneve kolektive, në ahengje, lojë e festa - dhe tash përnjihere dita osht e gjatë dhe monotone, pa aktivitete e pa kënaqesi.


_____________


E kalumja osht nji librari gjigante e përvojave e mësimeve, e stërmbushun me ide e ndodhi të këqija e të damshme por edhe ide e ndodhi të mira e të dobishme.

Nuk e shoh të kalumen emocionalisht. Emocionet i kam të drejtuara kah ardhmënia sepse ajo osht ushqim për optimizmin i cili zakonisht struket para pesimizmit

që buron nga errësinat e të kalumes.


____________________


Idealizimin e "jetës së qetë në fshat"e shoh si tendencë për rikonceptualizim e riplanifikim të jetës sot. E kjo jetë domosdo duhet të zhvillohet në balans shumë ma t'mirë me ambientin e natyrën, sidomos në krahasim me shekullin XX e ma herët, kur nga egoizmi e mospërfillja e njeriut ekosisteme e lloje të tana gjallesash janë shkatërru e asgjasu pa meshirë. Rezultatet e asaj jete po shihen dita ditës ma shumë e ma shumë, ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale, e cila vetëm sa premton me u ashpërsu e me e rreziku seriozisht jetën e pasardhësve tanë, ka fillu me i brengosë jo vetëm shkencëtaret por secilin njeri të vetdijshëm e te arsyeshëm sepse, në fund të fundit, osht e natyrshme me mendu për sigurinë e cilësinë e jetës së gjeneratave që po vijnë. Në këtë aspekt Arti dhe Artisti normalisht prijnë, duke reflektu e duke e përgatitë vetën e shoqninë për ndryshimet e nevojshme që duhen ba.


____________________


“Pianoja osht natyrale kurse sintetizatori osht artifical”

ka qenë dhe mbetet nji prej pohimeve ma qesharake dhe ma naive që më kanë përcjellë përgjatë jetes, studimeve e punës. Më habit shumë që dikush që merret me art, edukim e arsim nuk kupton që pianoja osht poashtu ‘artificiale’ në kuptimin që osht produkt teknologjik i mendjes dhe punës së njeriut dhe se sintetizatori osht vetem se nji variant i përditësum i konceptit të pianos si vegël muzikore.

Unë nuk e pëlqej termin ‘krijues’ sepse keqkuptimet burojnë nga idea që ne krijojmë dicka kur, ne fakt, ne vetëm se manipulojmë me materiale e forma natyrore. Druri, metalet, silikoni janë të gjitha materiale të natyrshme. Ajo që ne kemi mësu me ba shumë mirë, sidomos në shekujt e fundit, osht manipulimi e kombinimi i tyne në forma të ndryshme, me precizitet e kompleksitet aq të madh sa që i ban ato materiale të perceptohen si të ‘panatyrshme’.

E nganjihere edhe duken të panatyrshme për shkak të rezultateve që në fazat fillestare janë të ngathta e dojnë kohë për përmirësimin teknologjik të metodës së prodhimit, e ndonjiherë duken të panatyrshme thjeshtë falë keqpërdorimit të tyne.

Ne nuk jemi krijues, ne jemi manipulues - dhe përmes kesaj aftësie manipuluese kemi mbri me ja mundësu vehtes komoditetin e reflektimit të koncepteve abstrakte

si Arti, për shembull, ose Demokracia!


________________________


technology and us, digital painting. ilir bajri, 2015
 



36 views0 comments
bottom of page